Një njeriut tim në Tiranë iu desh të blinte në farmaci një solucion për përdorim intravenoz – dhe me këtë rast, i thanë: “po ti si i besove farmacistes?” Në rrethana normale, fakti që ky solucion shitej në farmaci dhe jo në trotuar, dhe që vinte me vulën e autoritetit përkatës, dhe që ishte prodhuar – sipas etiketës dhe kutisë – nga një firmë farmaceutike me reputacion në Europë, do të mjaftonte që personi në fjalë të mos kish dyshimin më të vogël se po blinte mallin e duhur. Vendi i blerjes (farmacia), vula e autoritetit shtetëror dhe vetë marka e produktit do të ofronin të gjitha garancitë e nevojshme. Megjithatë, në Shqipëri ka ndodhur që farmacitë të kenë shitur produkte të falsifikuara ose të skaduara, duke mashtruar blerësit që kanë nevojë për ato produkte. Çështja është nëse mashtrimi, prej disave, ka qenë në masë të tillë, sa të komprometojë besimin e përgjithshëm të qytetarit ndaj farmacisë, autoriteteve të kontrollit të barnave dhe në përgjithësi të tregut, e kështu me radhë. Dhe, me gjasë, për disa prej nesh, ky besim tashmë është komprometuar, sepse dyshimi ndaj transaksioneve të tilla është normalizuar.
Përdoruesi i një medikamenti të përshkruar nga mjeku nuk ka asnjë mundësi që të verifikojë nëse farmacia i ka dhënë një produkt gjenuin, apo i ka shitur solucion kripe apo pluhur orizi. E shumta, mund të fillojë të dyshojë nëse trajtimi nuk po i jep efektin e duhur. Në këto rrethana, dhe sa kohë që nuk i beson autoritetit publik, ky përdorues do të fillojë të ndjekë rrugë të tjera – për shembull, duke gjetur një mënyrë për ta sjellë medikamentin nga jashtë (shpesh me shpenzime të mëdha), ose duke e blerë nga një farmaciste që e ka kushërirë ose mike të ngushtë, dhe që ia ofron garancitë përkatëse. Nëse nuk arrin dot t'i bëjë këto, atëherë e merr mjekimin me gjysmë zemre dhe ashtu e zeron edhe efektin placebo.
Kemi të bëjmë me dy sfida: (1) besimin ndaj autoritetit publik – të tregut, të importit të barnave, të farmacive të autorizuara, etj.; (2) faktin që shumë operatorë të tregut nuk e kanë për gjë që të mashtrojnë, sepse janë moralisht të korruptuar dhe sepse gjasat që të ndëshkohen për mashtrimin janë të ulëta. Kuptohet se shumë prej nesh nuk e mashtrojnë tjetrin sepse nuk i lejon kodi moral që kanë adoptuar dhe respektojnë; por edhe ata që nuk e përfillin këtë kod moral si autoritet, i druhen ndëshkimit nga ligji. Në Shqipëri jo vetëm kodet morale nuk funksionojnë mirë, veçanërisht në komunitete të reja dhe të përziera; por edhe ndëshkimit të krimeve të tilla si mashtrimi me qëllim fitimi shumë vetë mund t’i shmangen, duke korruptuar autoritetet. Është konsoliduar tashmë një bindje kolektive se vetëm mashtrimi, në format përkatëse, e bën të mundur lulëzimin dhe mbrothësinë e një biznesi, ose edhe të jetës në përgjithësi.
Keep reading with a 7-day free trial
Subscribe to MENDITIME to keep reading this post and get 7 days of free access to the full post archives.