E REJA LETRARE
Lexova një status të Arti Lushit në Facebook, për pyetjen që jo rrallë u bëhet shkrimtarëve (autorëve në përgjithësi) në takime me lexuesit, intervista dhe tryeza të ndryshme: “Çfarë të reje sjell libri yt në letërsinë shqipe?”
“Është një pyetje jo vetëm e pasjellshme porse edhe absurde. Në çdo rast e detyron autorin ose të gënjejë, ose t’ia këpusë broçkulla,” shkruan Lushi, dhe nuk mundem veçse të bie dakord me të.
Më kujtohet – në këtë kontekst – një takim i hershëm i rrethit letrar të Fakultetit Histori-Filologji me poetin Fatos Arapi, kur unë isha akoma student, dhe ku folëm për një vëllim me poezi që ai kish botuar në atë kohë (duhet të ketë qenë “Drejt qindra shekujsh shkojmë”, por nuk e verifikoj dot).
Takimi po rridhte i mërzitshëm, derisa një shoku im u ngrit dhe i bëri poetit pyetjen tinzare:
“Çfarë te reje sjell vëllimi juaj në poezinë shqipe?”
Pashë menjëherë që Arapi u vu në siklet, madje u irritua dukshëm, dhe dha një përgjigje që nuk kishte shumë kuptim. Më mirë do kish bërë të thoshte se vëllimi përmblidhte vepra të pabotuara më parë dhe ta linte me aq...
Ai shoku vetëm sa dukej i interesuar për të renë që sillte libri; pyetja e tij më shumë sikur kërkonte t’i vinte në dukje Arapit se libri i tij i ri nuk sillte asgjë të re, as për letërsinë shqipe, as për poezinë e atij autori, në krahasim me ç’kish shkruar ky më parë.
Ishte pyetje me spec.
Shumë vite më pas, kur unë fillova të botoj vetë libra, gjithnjë i jam përgjigjur me mendje kësaj pyetjeje, për librin tim të radhës: çfarë të reje... ? Pyetja vetë e merr për të mirëqenë (1) që një libër i ri duhet të sjellë doemos diçka të re në letërsi, edhe pse vetë shprehja “sjell diçka të re” është klishe, dhe nuk ka kuptim përtej një interpretimi banal; dhe (2) që autori i veprës duhet ta dijë këtë të re që ka sjellë dhe t’ua komunikojë të tjerëve.
Tani, kur dikush ulet dhe shkruan një libër – ose e kompozon, si në rastin e një përmbledhjeje poezish – nuk është se niset me synimin që “të sjellë diçka të re”. E reja është vërtet vlerë e shtuar në panoramën letrare dhe njësi matëse e “progresit”, por gjithnjë ekziston në marrëdhënie me vlera të tjera. Mundet edhe që e reja të jetë e tillë jo në krahasim me produksionin letrar në përgjithësi, por thjesht për krijimtarinë e autorit – i cili ka një projekt në mendje, të cilin e realizon dora-dorës.
Thuhet se lexuesi i apasionuar pas një autori të caktuar kërkon prej veprës (kronologjikisht) të re që të jetë jo shumë e ndryshme nga ajo ekzistuesja. Për shembull, ata lexues që pëlqyen vëllimin poetik “Motive me diell” të Kadaresë, prisnin që edhe “Koha”, një vëllim që u botua më pas, t’u linte të njëjtat mbresa letrare. “Koha” e eksploroi poezinë në një përmasë tjetër, dhe krijoi lexuesin e vet, por kjo nuk besoj të ketë ndodhur sepse autori, me vullnetin e vet, e ndryshoi stilin dhe vargun dhe këndvështrimin.
U ula të shkruaj për statusin e Arti Lushit, sepse edhe thjesht ideja që këtë pyetje mund të ma bëjnë ndonjëherë mua, në takime ku flitet për ndonjë libër timin, m’i ngre qimet përpjetë. Fola, pra, nga pikëvështrimi i autorit. I bindur që nuk i duhet bërë, sepse tingëllon e vrazhdë. Autori nuk e di se çfarë ka sjellë të re me veprën e vet. Madje – në rastin tim – autori as nuk do t’ia dijë, se çfarë ka sjellë të re me veprën e vet. Kjo është punë për kritikët, ata që matin progresin letrar dhe gjurmojnë ecuritë e një zhanri ose edhe të një autori.
Pyetja ndoshta kish relevancë për letërsinë shqipe, në kohën kur u bë takimi ynë me Fatos Arapin – sepse vepra e tij lexohej, siç lexohej krejt poezia shqipe, me emra si Agolli dhe Kadareja. Dy vjet para se të mbahej ai takim, ne kishim mësuar përmendësh poezitë e këtyre të dyve, për provimin e maturës. Dhe një vëllim “i ri” nga Arapi pritej me interes edhe për këtë arsye – për çfarë sillte të re. Por nuk më duket se kjo vlen për periudhën e tanishme, kur shkruan Arti Lushi dhe poetë të tjerë.
Dhe ja pse: vetë parametri i së resë (i risisë) letrare parakupton krahasimin; dhe krahasimi parakupton të paktën dy vepra. Dhe sot janë të rrallë ata kritikë letrarë që e ndjekin një autor vepër pas vepre dhe janë në gjendje ta shohin si ndryshon; sikurse janë të rrallë ata kritikë letrarë që e njohin panoramën letrare bashkëkohore shqip, aq sa të mund të shprehen seriozisht për të renë që sjell kjo apo ajo vepër. Sistemi letrar shqip, në momentin e tanishëm, nuk është organik, as ka shtrirjen e duhur në kohë. Librat dalin dhe harrohen shumë shpejt, pa u metabolizuar, falë një filozofie të rrafshimit që u intereson veç atyre që librin e shesin dhe që, po t’i pyesësh, të thonë se libri më i mirë i dikujt është ai që sapo është botuar. Duke qenë kjo situata, të pyesësh se “çfarë ka të re në librin tënd të fundit” është dyfish fyese. Ose trefish. Sa kohë që vepra jote në vite nuk është regjistruar, dhe jo sepse nuk ka pasur vlerën e duhur letrare, por sepse sistemi është i tillë, që t’i japë përparësi rrëshqitjes dhe pastaj daljes, mundësisht në hapësirën nga një panair tek tjetri.
Polisemia e mbiemrit I RI gjithashtu krijon pështjellim. Pyetja e atij shokut tim drejtuar poetit mbështetej mbi një keqkuptim që fare lehtë mund të lindë, kur prej një libër të ri, në kuptimin që sapo ka dalë, mund të pritet që të sjellë të reja në zhanrin e vet, brenda krijimtarisë së autorit, në letërsi dhe në kulturë në përgjithësi. Shumë autorë të suksesshëm në Perëndim e kanë të vështirë të ndalen, edhe kur e dinë se nuk sjellin dot më gjëra të reja me letërsinë e tyre. Edhe kur duan të ndalen, nuk i lënë shtëpitë botuese dhe agjentët e tyre. Në botën shqiptare ky mekanizëm është përçudnuar disi, por sërish vepron, sepse një shkrimtar njëfarësoj ndihet i detyruar të sjellë gjëra të reja (në kuptimin që “të botojë” sërish), për të mbetur relevant.
Prandaj pyetja “çfarë ka të re në librin tuaj të ri” mund të interpretohet edhe si tautologjike – ngaqë e reja është që libri sapo ka dalë, përballë librash të tjerë prej meje, që qarkullojnë prej vitesh. Kaq mund të thotë, besoj, autori. Të tjerat i mbeten kritikut t’i vërë në dukje, dhe lexuesit që të reagojë ashtu siç di – duke i ndenjur afër atij autori, apo duke iu larguar.
Jetojmë në një epokë letrare që i jep përparësi origjinalitetit dhe së resë – vepra e radhës, e një autori, duhet njëherazi t’i ngjajë veprës së mëparshme për të kënaqur pritjet e lexuesve, por edhe të distancohet prej saj, për të ruajtur origjinalitetin (unicitetin). Këtë gjë pritet ta përshkruajnë kritikët e veprës, të cilët i kanë instrumentet për ta vendosur veprën në kontekst dhe në marrëdhënie me veprat e autorëve të tjerë bashkëkohorë, edhe me veprat e të njëjtit autor, që i kanë paraprirë.
Gabimi i atij shokut tim – nëse mund ta quaj gabim – është se i kërkoi autorit, Fatos Arapit, që të analizonte veprën e tij si të ishte kritik letrar, duke e vënë para një dileme të frikshme, që vë në pikëpyetje deri edhe unitetin e subjektit krijues.
Dhe ja pse. Kush e ka parasysh tregimin “Pierre Menard, autor del Quijote,” të Borges-it, do të më kuptojë. Atje na prezantohet Menard-i, një shkrimtar frëng (fiksional) i shekullit XX, i cili e “rikrijon” Don Kishotin duke e riprodhuar, fjalë për fjalë, nga origjinali spanjisht i shekullit XVII. Ideja e Borges-it është që vepra e Menard-it, edhe pse kopje besnike e romanit spanjoll, është krejtësisht e re, në penën e një autori të shekullit XX, për shkak të kontekstit historik, pritjeve të lexuesit dhe marrëdhënieve intertekstuale që vendos me romanin e Cervantes-it.
Një incident i ngjashëm, ma përforcon argumentin. Para ca ditësh, kur po shfletoja një antologji të poezisë shqipe me alfabet arab (“bejtexhinjtë”), vura re se një prej autorëve, Muhamet Çami-Kyçyku, përfaqësohej atje me poemën e njohur Erveheja; vetëm se autorët e përmbledhjes, nga pakujdesia ose padija, kishin zgjedhur të përdorin tekstin e poemës të përshtatur nga Jani Vreto për përdorim në mësonjëtoret; paçka se versioni i Vretos e kish pastruar poemën e Çamit nga orientalizmat, në frymën e ideologjisë gjuhësore të Rilindjes. Antologjia që kisha në dorë e mbyllte qarkun, duke ia lënë shqipen pa orientalizma autorit origjinal – i cili tani edhe ai “sillte diçka të re në letërsi”, duke sfiduar, në mënyrë anakronike, epokën e vet, profilin e vet si autor dhe rrymën letrare së cilës i përkiste.
Gjithsesi, e reja letrare ka nevojë gjithnjë të cilësohet, përndryshe funksionon vetëm si armë ideologjike. Një poet mund të dalë me një vëllim me vjersha të shkruara të gjitha në hekzametër, por ky eksperiment do të mbetet në skajet e komunikimit letrar, po të mos shoqërohet me “risi” të tjera, më substanciale.
Brenda ekosistemit bashkëkohor të librit shqip, çdo diskutim për “të renë” parakupton edhe se lexuesi – ose edhe vetë kritika letrare – e njohin tashmë ekzistuesen; përballë realitetit të hidhur se, edhe në rrethanat më të lumtura, publiku njeh autorin, si figurë televizive fotozhenike, por jo veprën e tij të mëparshme, atë që ky i ziu i detyrohet, për statusin prej autori.
Por ka edhe nga ata që me “të renë” e sjellë prej një autori kanë parasysh librin e tij të fundit në Panair – kanistrën e fundit me hurma farëzeza të bahçes, që ka nxjerrë te trotuari për ta shitur. Kjo “e re” mund të ketë vlerë marketing-u, por është kaq e konsumuar, si vlerë, sa një autor, qoftë ky edhe i famshëm, mund ta ripaketojë në roman a një poemë që ka shkruar diku dhe e ka botuar madje edhe ka fituar çmim me të, dhe ta nxjerrë sërish. Loja e hollë filozofike-letrare, e Pierre Menard-it, në pazarin tonë katundar të librit do ta humbte sakaq lezetin, sepse do të ishte produkt jo i çmendurisë, por i dëshpërimit.
(c) 2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi ilustrues është realizuar me AI.


